Audi i ri RS7 u spiunua ditën e sotme duke na dhënë të gjithë entuziastëve të makinave një përshtypje të parë se çfarë do të sjellë makina me pesë dyer e performancës së lartë përpara debutimit në fund të vitit.
Nga fotot e publikuara vihet re elementi i parë vizual që diferencon RS7-ën nga një A7 dhe janë marmitat në formë vezake.
Grila është standarde, pjesë edhe e A7-ës, megjithatë presim që RS7 e vërtetë të ketë një grilë ndryshe nga prototipi testuar prej ngjyre të zezë dhe karakterizuar nga një rrjetë.
Edhe disqet e këtij prototipi janë aty vetëm për qëllime testimi ku modelet përfundimtare do të kenë pamje më estetike.
Në brendësi të RS7-ës do të gjendet një motor i zhvilluar nga grupi Volkswagen twin-turbo 4.0-litër V8.
Ky motor fuqizon Porsche Panamera Turbo, Porsche Cayenne Turbo dhe Lamborghini Urus.
Tetë cilindrat e tij mjaftojnë për të gjeneruar mbi 600 kuaj fuqi ndërsa Audi synon të lërë pas modelin e vjetër të performancës RS7 që prodhonte 605 kuaj fuqi.
Sistemi all-wheel-drive nuk do të mungojë së bashku me kambio automatike S-tronic me tetë marshe.
Nuk përjashtohet mundësia e një modeli hibrid i cili do të shfrytëzonte teknologjinë e Panamera Turbo S E-Hybrid me 680 kuaj fuqi.
Modeli i 2019-ës do të debutojë këtë vit përpara se të dalë në shitje vitin e ardhshëm. /Auto Ekspress