I cilësuar si konkurenti i vërtetë i Tesla, Porsche Taycan është sedani elektrik i prodhuesit gjerman, që do të debutojë së shpejti.
Përpara debutimit, kompania ka publikuar fotot zyrtare të makinës, dhe ajo që na impresionon është se Taycan ka pesë ekrane, një prej të cilëve është vetëm për pasagjerin.
Por risitë nuk mbarojnë me kaq. Drejtimi i ventilatorëve të ajrit kontrollohet përmes komandave elektronike dhe jo me dorë.Le të flasim në fillim për ekranin në anën e djathtë të kryskotit, i cili është i integruar me platformën duke u bërë një me të, ndryshe nga ekranet që jemi mësuar të shohim të cilët duket sikur janë ngjitur në kroskot.
Porsche nuk ka zbuluar detaje rreth ekranit anësor të pasagjerit, prandaj na duhet të presim për të mësuar më shumë. Por ajo që dimë është se ky ekran është opsional.
Edhe pse Porsche nuk përmend madhësinë, duke ditur që ekrani qendror në kroskot është 10.9-inç, thjesht duke krahasuar me të, dallohet qartë që edhe ekrani i pasagjerit nuk është i vogël.
Për sa i përket ekranit qendror 10.9-inç, ky ekran është porta e një numër të madh komandash dhe karakteristikash, si për shembull navigim, telefon, media, komfort dhe Porsche Connect. Me optimizimin e kontrollit të zërit, drejtuesi i Porsche Taycan mund të aksesojë funksionet edhe më shpejt.
Ekrani që mbizotëron është 16.8-inç, dhe përbëhet nga matësit dixhitalë. Është i lakuar, dhe në vend të shtresës mbrojtëse ndaj diellit, ekrani është i punuar me një xham me filtër të polarizuar për të shmangur reflektimin.
Mënyra se si janë vendosur matësit dixhitalë mund të konfigurohet sipas dëshirës. Porsche ofron katër modalitete kryesore. “Modaliteti klasik”, i cili matës kryesor ka matësin e fuqisë.
“Modaliteti harta” fshin matësin e fuqisë, dhe vendos në qendër një hartë, ndërsa “Modaliteti hartës së plotë” vendos një hartë në ekran, duke fshirë të gjithë instrumentet e tjera nga ekrani.
Pastaj është “Modaliteti i pastër”, i cili ofron vetëm infomacionet kryesore të vozitjes, si për shembull shpejtësia, shenjat e trafikut dhe navigimin.
Ju gjithashtu mund të vëreni që në skajet e ekranit 16.8-inç janë të vendosur butonat e kontrollit me anë të prekjes, të cilët menaxhojnë dritat dhe çdo gjë lidhur me performancën.
Poshtë ekranit 10.9-inç është një tjetër ekran 8.4-inç, i cili lejon drejtuesin të kontrollojë klimën. Për më tepër, drejtuesi mund të shkruajë në ekran me dorë, dhe siç shihet në foto, ekrani tregon statusin e karikimit kur automjeti është duke u karikuar.
Ekrani i fundit, ashtu si ekrani i pasagjerit, është opsional. Është i vendosur në pjesën e pasme të panelit qëndror. Njësia 5.9-inç me reagim ndaj prekjes dhe gjesteve, lejon pasagjerët në ndenjëset e pasme të kontrollojnë klimën.
Pjesë e këtij kontrolli përfshin rregullimin e jo vetëm temperaturës dhe shpejtësisë së ajrit, por gjithashtu drejtimin, pasi ventilatorët për pasagjerët e pasëm njësoj si ventilatorët në kryskot, mund të kontrollohen vetëm me anë të komandave elektronike.
Makina elektrike Porsche Taycan do të debutojë në Niagara Falls muajin e ardhshëm. /Auto Ekspress